Home Komenti i Dites Pak fjale se cfare pritet nese vjen nje tjeter krize ekonomike!

Pak fjale se cfare pritet nese vjen nje tjeter krize ekonomike!

55
0
SHARE

Kriza e ardhshme globale, FMN dhe ekspertët: Përgatituni

Sabina Veizaj –Ndërsa në qarqet ndërkombëtare po diskutohet mes ekspertëve të fushës, mundësia e një goditjeje tjetër financiare, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore i kërkojnë Shqipërisë të jetë e përgatitur.

Kjo është thënë gjatë Mbledhjeve Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të cilat u zhvilluan në Bali, Indonezi ku mori pjesë guvernatori Sejko sëbashku me një delegacion nga Shqipëria.

Guvernatori Sejko në Indonezi

Mbledhjet përfaqësojnë një forum të nivelit të lartë për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit të ekonomisë botërore.

“Paralelisht me vazhdimin e punës në drejtim të nxitjes së aktivitetit ekonomik, është po ashtu mjaft e rëndësishme që vendi dhe institucionet të jenë të mirëpërgatitura dhe të reagojnë në kohën dhe mënyrën e duhur, në rast të ndonjë goditjeje nga faktorë të jashtëm ose të brendshëm.”- kanë sugjeruar përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe BB-së duke vënë theskin tek përmirësimi i klimës së biznesit, nxitja e investimeve vendase dhe të huaja, si dhe rritja e eficiencës dhe zgjerimit të potencialit ekonomik.

Gjithashtu, në deklaratën për shtyp të Komitetit Monetar e Financiar të FMN-së theksohet se zgjerimi global mbetet i fortë. “Rritja ekonomike është parashikuar të jetë e qëndrueshme në periudhën afatmesme dhe e moderuar më vonë. Megjithatë, rimëkëmbja ekonomike  gjithnjë e më shumë  bëhet më e pabarabartë, ndërsa janë materializuar disa nga rreziqet e identifikuara më parë. Në përgjithësi, rreziqet gjithnjë e më shumë po orientohen për poshtë, në kushtet e  tensioneve tregtare të intensifikuara, shqetësimeve të vazhdueshme gjeopolitike, dhe kushteve financiare më të shtrënguara, duke ndikuar në veçanti  shumë tregje në zhvillim dhe ekonomi të zhvilluara. Pasiguria politike, nivelet e larta historike të borxhit, brishtësitë financiare në rritje dhe hapësira e kufizuar e politikës mund të minojnë besimin dhe të ardhmen e rritjes ekonomike.”

Kriza e radhës, çfarë mendojnë ekspertët ndërkombëtarë?

Një dekadë më parë, askush nuk arriti të parashikonte peshën e vërtetë të krizës që do të ndodhte dhe pasojat e rënda të saj.

Megjithatë, ekonomisti A. Gary Shilling do të paralajmëronte në atë kohë abonentët e tij të buletinit periodik për borxhin e madh të familjeve që kishin marrë për pasuri të paluajtshme e që do ta mbante ekonominë në ngërç për vite me radhë.

• Menaxheri i parave James Stack gjithashtu u tha klientëve të tij se fluska imobiliare kishte shpërthyer  dhe se një treg i ri po vinte – ndërkohë që stoqet po goditeshin gjithë kohën

• Raghuram Rajan, kryeekonomist pranë FMN, tha se sasia e rrezikut në sistem ishte shumë më e lartë se sa mendonin shumica e njerëzve.

• John Mauldin tha në atë kohë se shpërthimi i fluskës imobiliare do të shkaktonte një rënie të shpenzimeve të konsumit dhe një recesion (megjithëse fillimisht ai mendonte se do të ishte një recesion i butë) dhe se skemat e skadimit të kredive  përbënin një rrezik sistematik.

Po çfarë thotë tani Gary Shilling?! Shilling është veçanërisht i shqetësuar për  8 triliard dollarë të borxhit sovran dhe borxhit të korporatave, sidomos kur dollari amerikan rritet, shtoji kësaj edhe normat e interesit. “Nga kjo, duhet të shlyhen  249 miliardë $ gjatë vitit të ardhshëm”- ka thënë ai për Bloomberg.

Ndërsa The Economist ka paralajmëruar krizën përmes artikujve të njëpasnjëshëm. Në një artikull të pak ditëve më parë citonte “bursat kanë rënë anembanë globit dhe investitorët janë shqetësuar për të dytën herë këtë vit.  Si pasojë e rritjes së ngadaltë të ekonomisë dhe efekteve  të politikës së kufizuar monetare amerikane, kriza e radhës është në prag.

Frika ka baza të forta. Problemi i ekonomisë botërore në 2018-ën ka qenë pabarazia. Në Amerikë taksat që shkurtoi Presidenti Trump ndihmuan që rritja tremujore në terma vjetorë të shkonte mbi 4%. Papunësia është në nivelin e saj më të ulët që prej 1969-ës. FMN mendon ende se rritja do të ngadalësohet  këtë vit tek  çdo ekonomi të avancuar. Dhe tregjet në zhvillim janë të turbulluara.

Kjo divergjencë mes Amerikës dhe pjesës tjetër të botës do të thotë politika monetare divergjente, gjithashtu. Rezerva federale ka rritur normat e interesit që prej dhjetorit 2015.

Banka Qendrore Europiane është ende larg nga rritja e saj e parë. Në Japoni normat janë negative. Tabela e parë e qitjes së presidentit Trump në luftën tregtare, Kina, me një politikë të qetë monetare këtë javë po përgjigjet me një ekonomi të dobët. Kur normat e interesit u rritën në Amerikë, por asgjëkundi tjetër, dollari u forcua. Kjo vuri në vështirësi ekonomitë në zhvillim në lidhje me pagimin e borxheve që kanë në dollarë. Forcimi i monedhës jeshile amerikane shkaktoi shqetësime në Argjentinë dhe Turqi; këtë javë Pakistani i kërkoi FMN-së një rrugë shpëtimi për ekonominë e tij.

Tregjet në zhvillim llogariten të kenë 59% të PBB-së botërore (e matur nga fuqia blerëse), nga 43% që vlerësohej dy dekada më parë, kur shpërtheu kriza financiare aziatike. Poblemet e tyre mund që të kthehen në dyert e Amerikës. Dhe deri sa kjo të ndodhë e nëse vështirësitë e buxhetit të Italisë nuk zvogëlohen ose Kina do të vuaj nga një ngadalësim i mprehtë, pjesa tjetër e botës do të jetë në gjendjen edhe më të keqe.

Çfarë mendojnë ekspertët shqiptarë?

Zhvillimi ekonomik ka karakter ciklik, qoftë edhe për këtë arsye rëniet apo krizat shfaqen shpesh në ekonomi, thonë ekspertët.

Por debati aktual qëndron tek krizat të cilat përhapen shpejtë dhe godasin rëndë zhvillimet ekonomike e sociale.

Arben Malaj

Sipas studimeve historike të krizave të meparshme vlerësohet se efektet e tyre ndjehen në ekonomi për një periudhë të gjatë e cila varion 8- 10 vite.

Dalja nga peruidha e krizës matet me gjendjen e treguesve kryesorë makro-ekonomik ku një vend specifik zë punësimi dhe inflacioni, por jo pak të rëndësishëm janë edhe treguesit e qëndrueshmërisë së financave publike ku përfshihen tre indikatorë specifik, deficiti primar, borxhi publik dhe kostoja e financimit dhe rifinancimit të ekonomisë.

Kohët e fundit ekspertët paralajmërojnë se një krizë e re globale po afrohet dhe faktorët e cituar  janë të shumtë; duke filluar me efektet negative të luftës tregtare, impaktet jo pozitive të normave të ulta të interesit që kanë ushqyer një kërkesë më të madhe se oferta dhe kjo ka sjellë ritjen e çmimeve, lufta e monedhave, zhvillimet gjeopolitike e tjerë.

Pyetja që ngre eksperti Arben Malaj është: “A ishin efektive politikat antikrizë? A ushqyen ato embrionet e një krize të re financare? Kur dhe sa e rëndë mund të jetë një krizë e re globale?”

“Studjuesit, thotë ai, janë të ndarë në thelbin e gjetjeve dhe rekomandimeve të tyre nga analiza e rrënjëve dhe pasojave të krizës globale 2007. Profesorët më të mirë të makroekonomisë dhe insitucionet kryesore në fushën e financave publike kanë tentuar të përmbledhin këshillat e tyre. Ish shef i FED Ben Berbarke p.sh zbulon se përmasat e krizës u rritën ndjeshëm edhe nga paniku i krijuar se ekonomia globale do të mbrinte në përmasat e depresionit të madh 1929-1933. Ai e vlerëson panikun si faktori kryesor që bankat dhe ndërmjetësit bankarë bllokuan kredidhëniein midis tyre, kjo thau kanalet e flukseve të likujditeteve/ qarkullimit të parasë në ekonomi, duke e bërë të detyrueshme ndërhyrjen e shpejtë shtetërore si për të hedhur likujditete në ekonomi edhe për të blerë asetet toksike të kompanive të ndryshme duke ju dhënë atyre mundësi për të ristartuar aktivitetin e tyre.”

Sipas Malajt, të shpresohet se leksionet e mësuara nga kriza globale 2007 do të lehtësojnë njohjen në kohë të risqeve potenciale, të lehtësojnë harmonizmin e politikave monetare dhe fiskale, të bëjnë efektive në një kohë sa më të shkurtër bashkëveprimin në nivel kombëtar, europian dhe global, në varësi nga niveli faktorëve.

Duke i hedhur sytë në vendin tonë, Malaj shprehet se leksioni i  parë i krizës globale është që çatia rregullohet në ditë me diell. “Në kohët e rënies së konsumit dhe investimit individual, familjar dhe të bzinesit, kërkesën e përgjithshme në ekonomi e mundëson rritja e investimeve publike si edhe politikat dhe paketat sociale për të varfërit, si një konsum i menjëhershëm.”- vijon argumentin Malaj.

Ai kujton se kriza e mëparshme tregoi se vendet që kishin deficite buxhetore dhe borxhe publike të ulta mund ta ndihmonin më mirë ekonominë, sepse mund ta rrisin deficitin buxhetor dhe borxhin publik pa rritur koston e financimit të tij. “Pra, na duhet të ecim drejt uljes së deficitit, borxhit dhe kostos së tij.”

Po kështu sqaron eksperti Malaj, “vendet që kishin norma interesi të arsyshme, jo afër zeros , mund ta ulnin koston e parasë në ekonomi duke nxitur konsumin dhe investimin, pa shkuar në dizflacion apo deflacion. Na duhet të mos jemi në nivele të ulta të normave të interesit dhe njëkohsisht të identifikojmë qartë politikat dhe instrumentat përkatëse, nëse një situatë specifike kërkon ndërhyrjen e Bankës Qëndrore.Ti kesh të qarta këto politika dhe instrumenta, pra të jesh i mirëpërgatitur për të vepruar shpejt dhe me efikasitet”

Malaj evidenton gjithashtu se,  vendet në të cilat biznesi ishte fleksibël, që rialokohej nga një sektor joproduktiv në një sektor më produktiv, zbuti papunësinë dhe ushqeu më mirë rritjen ekonomike.

Ai nuk e përjashton që kriza mund të trokasë edhe në derën tonë dhe thotë se “Duhet të jemi të parapërgatitur  për çdo risk krize mbi ekonominë e vendit tonë. Duhet të dimë mirë kanalet nga nëpërmjet të cilëve kriza mund të godasë ekonominë tonë.”

Të mos harrojmë, thotë Malaj, se në vitin 2005-2008 ne kishim ritje ekonomike të lartë, por pas krizës, kur vala e tretë e saj e goditi vendin tonë, rrtja ekonomike arriti në rreth 1.5% , kreditë ishin jo performuese në rreth 24%, papunësia mesatare në rreth 16% dhe ajo për të rinjtë mbi 25%

Ai sugjeron se Banka Qendrore duhet të ndjekë nga afër zhvillimet në tregun e parasë , duke respekuar objektin e inflacionit, ajo duhet të ketë politika dhe instrumenta respektive në përgjigje të zhvillimeve makroekonomike.

Ndërsa qeveria për Malajn, duhet të forcojë sa më shumë stabilitetin e financave publike në periudha normale të cikleve ekonomike dhe të krijojë hapësira fisakle për stimujt e saj në periudha rënie apo krize ekonomike.

Në këndvështrim afatmesëm dhe afatgjatë, Malaj gjykon se ne duhet të parandalojmë goditjen e ekonomisë tonë duke bërë reformat strukturore të funksionimit të shtetit ligjor, duke investuar në arsim, shëndetësi, kërkim shkencor, duke rritur produktivitetin dhe diversifikimin e tregjeve potenciale.

Kurse eksperti Elvin Meka në gjithë debatin që po zhvillohet në lidhje me një krizë të mundshme globale në prag, sheh si aspektin më pozitiv gjendjen e fortë dhe të qëndrueshme të sistemit bankar global dhe e vlerëson atë si më të mirëkapitalizuar sesa në periudhën e parakrizës së vitit 2008. “Por ky është i vetmi lajm i mirë.”- thotë Meka.

Elvin Meka

Për të, çështja mbetet në faktin që ekonomia botërore është ende shumë e dobët dhe nuk e ka marrë ende veten plotësisht nga kriza e fundit ekonomiko-financiare dhe ajo çka nuk duhet është pikërisht një tjetër ngadalësim apo stopim i zhvillimit ekonomik. “Askush nuk mund të japë siguri që ekonomia globale nuk do të goditet nga një krizë ekonomike në të ardhmen, por ajo që mund të themi me siguri është se një tjetër krizë ekonomike dhe financiare nuk do të godasë ekonominë globale por vet sistemin kapitalist! Politikbërja globale po funksionon tashmë në një mjedis shumë acid për sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar dhe në kushtet kur ekonomia globale gjendet në një shkallë të jashtëzakonshme ndërthurje ndërkombëtare, tigri për t’u vrarë do të jetë pikërisht globalizimi dhe tregjet e hapura. Kjo do të rrisë edhe më shumë tensionet dhe fërkimet në rrafsh ndërkombëtar.”

Duke pasur parasysh që Shqipëria i përket grupit të vendeve në zhvillim dhe në dallim nga “vonesa” me të cilën u prek ekonomia kombëtare nga kriza e fundit ekonomiko-financiare, për Mekën, çdo krizë tjetër do të ndikonte në kohë reale. “Për më tepër, struktura e ekonomisë së vendit ende nuk ka krijuar të gjithë mekanizmat mbrojtës, që të përballojë edhe për vite të tjera goditje nga efketet e krizave ekonomike globale, përveç sistemit bankar, që tashmë i ka funksionalë rrjetat e duhura të sigurisë. Përtej parashikimeve të zymta, duhet të rikujtojmë se kapitalizmi është një sistem që zhvillohet dhe evoluon përmes krizave, por politikëbërësit e sotëm kanë në dorë që të marrin të gjitha masat parandaluese për të zvogëluar magnitudën e tyre dhe efektet respektive në ekonomit kombëtare dhe globale”, përfundon Meka arsyetimin e tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here